Monday, May 27, 2013

Gjilani i jep 'goditjen' e fundit Vitisë



Futbollistët e Gjilanit kanë shënuar një fitore me rëndësi kundër të fundit në tabelën e klasifikimit, skuadrës së Vitisë. Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Shpëtim Hajdini në minuten 43.

Loja

Që në minutën e nëntë vendasit kanë mundur të shënojnë nga gjuajtja e lirë, ndërsa ekzekutues i gjuajtjes ishte Kastrati që furishëm ka gjuajtur dhe për disa centimetra ka kaluar pranë horizontales.
Në minutën e 23, Hajdini nga mesi i fushës i ka ikur një pozicioni jashtë loje, del i vetmuar para portierit mysafirë dhe në vend të godet njërin nga këndet e portierit Ymeri, ai gjuan drejt në trupin e portierit vitias.
Dy minuta pa përfunduar pjesa e parë, vendasit kanë shënuar golin e epërsisë dhe të vetmin në këtë ndeshje, duke iu falënderuar një mbrojtësi mysafirë, i cili në dëshirë që të largoj topin jashtë zonës, godet Hajdinin në trupin e tij duke u futur topi mbi duart e Ymerit që ishte jashtë portës së tij.

Iniciativa e mysafirëve në pjesën e dytë ishte e madhe dhe me të gjitha forcat janë orientuar drejt portës së Hajdinit, por që deri në minutën e 73 nuk kanë arritur të krijojnë ndonjë rast për shënim. Në këtë minutë, B. Mustafa nga 22 metra ka gjuajtur dinakërisht, por topi për disa centimetra kalon pranë portës.
Që nga minuta e 75, vendasit mbeten me një lojtar më pak, pasi Ferati është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, gjë që mysafirët tash me një lojtar më shumë me të gjitha forcat sulmojnë për të barazuar rezultatin.
Në minutën e tretë shtesë, mysafirët kanë mundur të shënojnë dhe të barazojnë rezultatin, pasi Idrizi nga 20 metra ka gjuajtur fuqishëm, portieri Ajdini ka arritur të pret topin, por jo edhe ta posedoj në duart e tij, kështu që topi vije deri te A. Mustafa , i cili nga 4-5 metra nuk godet portën e zbrazët.

Gjilani 1:0 Vitia

Stadiumi i qytetit në Gjilan. Shikues; 300
Gjyqtarë; B.Gashi, E.Kume, A.Potoku.
KV: Murseli, Zeqiri(Gjilani) – Rexhepi, B. Mustafa (Vitia).
Kartoni i kuq: Ferati (pas dy të verdhëve).

Gjilani: Ajdini, L. Hasani (D. Hasani) Uka (Beqiri), Kastrati, Arifi, Hyseni, Zeqiri (Syla) Bajraliu, Murseli, Hajdini, Ferati. Trajner: Sallah Sherifi.

Vitia: Ymeri, Pajaziti, Tahiri, Zuka (Ar. Mustafa) Rexhepi, Kryeziu (Muhaxheri) Bytyqi, B. Mustafa (Ismajli) A. Mustafa, Idrizi, Hajralluhu. Trajner: Rexhep Murseli.

No comments:

Post a Comment